Loading…

​Bislimi: Marrëveshja për gazsjellësin nuk e sjell as edhe një litër gaz nga SHBA’ja, por nga Azerbajxhani dhe Rusia

  • 24/09/2021 | 14:35

​Bislimi: Marrëveshja për gazsjellësin nuk e sjell as edhe një litër gaz nga SHBA’ja, por nga Azerbajxhani dhe Rusia

Zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka deklaruar se vendimi për reciprocitet me targa për automjetet serbe nuk ka të bëjë asgjë me marrëveshjen e Brukselit. E njëjta, sipas tij, ka skaduar me 15 shtator dhe vendimi është legjitim dhe sovran i Kosovës. Ndërlidhjen me marrëveshjen e Brukselit, i dyti i ekzekutivit e ka quajtur gabim dhe vetëm tendencë për manipulim të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Para deputetëve në Komisionin për integrime evropiane, ku raportoi sot, Bislimi tha se gazsjellësi që po negociohet të vjen në Kosovë nuk është amerikan, por i azerbajxhanit dhe rus, derisa kritikoi opozitën se po keqpërdor temën e emërimeve politike të qeverisë.

“Vendimi për targat nuk ka të bëjë me asnjë marrëveshje të Brukselit. Marrëveshja e Brukselit ka përfundu me 15 shtator të vitit 2021. Pra vendimi nuk lidhet absolut me asnjë nga marrëveshjet e Brukselit dhe buron nga zbrazëtia që ka kjo marrëveshje, pasi nuk ekziston një marrëveshje e Brukselit që e rregullon lëvizjen e lirë. Por edhe si të kishte qenë vazhdim i tyre, marrëveshja e vitit 2011 e përcakton qartë se si Kosova, ashtu edhe Serbia kanë të drejtë të nxjerrin vendime që mund të rregullojnë dokumentet që mund të lëshohen për lëvizjen e qytetarëve brenda kufijve. Ndërsa marrëveshja e vitit 2016 është krejt tjetër, aty flitet për afishet, nuk flitet për targat e përkohshme. Është gabim dhe konfirmim i asaj që po mundohet të manipulojë Vuçiq nëse ne themi që ky vendim ka të bëjë me marrëveshje të Brukselit”, tha ai.

Ishte deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, anëtare e këtij komisioni i cila i kërkoi qartësim të pozicionit të qeverisë lidhur me gazsjellësin, që sipas saj është amerikan.

“Është tejet e rëndësishme të qartësohet pozicioni i jonë në raport me fondet të cilat tashmë janë të ndara të MCC. Duke pas parasysh se kryeministri në Kuvend në seancën e fundit, tha se nuk është e thënë se ne duhet të marrim gazin nga ShBA”, pyeti Deliu.

Mirëpo, zëvendëskryeministri Bislimi tha se marrëveshja për gazin nuk e sjell as edhe një litër gaz nga ShBA-ja. Sipas tij është budallallëk me mbrojt linjën e gazifikimit që vjen nga Maqedonia e Veriut me idenë që po e mbron gazin amerikan.

Ai deputetëve iu tregoi edhe detaje të diskutimeve me MCC-në për këtë projekt.

“Sa i përket energjisë, është duke ndodhur një manipulim i madh i opinionit, marrëveshja për gazin që vjen nga Maqedonia nuk e sjell as edhe një litër gaz nga ShBA-ja, i gjithë gazi që duhet të vijë nga linja prej Maqedonisë së Veriut është gaz azerbajxhan dhe rus. Me dalë me mbrojt linjën e gazifikimit që vjen nga Maqedonia me idenë që po e mbrojnë gazin amerikan është budallallëk sepse gazi amerikan është gaz likuid, ai nuk transportohet përmes gypave por me kamionë ndërkaq i gjithë gazi që pritet të transportohet nga kjo linjë e gazifikimit është nga Azerbajxhani dhe Rusia. Është gabim të thuhet që MCC-ja ka ndarë 200 milionë për projektin e gazifikimit, MCC-ja nuk ka ndarë asnjë euro për gazifikim, MCC-ja ka ndarë një platformë deri në 200 milionë euro për projekte të cilat e ndihmojnë zgjidhjen e barrierës kryesore për zhvillim në Kosovë që është klasifikuar që është energjia por nuk ka thënë për gazifikim, aty hyn edhe gazi por ju po thoni i ka ndarë 200 milionë euro për gazifikim, unë po them janë zero euro të ndara për gazifikim, ne do të diskutojmë me MCC se çka do të përfshihet në këto. Nuk është thënë askund që mjetet e MCC-së janë të dedikuara për gazifikim”, ka shtuar Bislimi.

Zëvendëskryeministri Bislimi në mbledhjen e këtij komisioni vazhdimisht pyetej nga deputetët opozitar për emërimet politike, por ai tha se kjo temë po përdorët vetëm për keqpërdorim politik nga opozita.

“Nuk ka pasur aktivet që është keqpërdorur politikisht se emërimet politike. Emërim politik është rasti kur një person vendoset në një pozitë jo për shkak të meritave të tij, por afitimitetit politik. Në qoftë se ju Besnik Bislimin e vendosni në ekipin kombëtar të futbollit veçse jam në Lëvizjen Vetëvendosje, ky është emërim politik sepse unë nuk di futboll. Mirëpo nëse mu më vendosni drejtor të një kompanie sepse kam tre master në financa nuk është emërim politik, por profesional, ndërkaq preferenca ime politike është e parëndësishme në këtë proces. LVV-ja ka kapacitetin dhe punën e dijës, nuk i kemi marrë këta njerëz për t’i konzervu, por për t’i përdorë për implementimin e reformave tona. Çdo kund ku një ekspert që i plotëson kriteret emërohet, jo që është politik, por se është ekspert. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 50 përqind të votave, edhe nëse i mbyll sytë prej 10 personave 5 dalin të Lëvizjes Vetëvendosje”, theksoi Bislimi.

Lidhur me deklarimet e zëvendëskryeministrit, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj tha se po të kishte ndodhur një qeverie paraprake skadimi i vaksinave për COVID 19, Lëvizja Vetëvendosje do ta digjte Kuvendin e Kosovës.

“Po të kishte ndodhur më një qeveri paraprake që mbi 100 mijë vaksina me skaduar, unë po mendoj se ju e do ta kallni edhe parlamentin dhe mbledhur me mijëra protestues në rrugë”, tha ajo.

Në mbledhjen e sotme, Komisioni për Integrim Evropian miratoi Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit (PKZMSA) 2021-2025 dhe Planin e Veprimit për zbatimin e fazës së dytë të prioriteteve politike të dakorduara ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës – Agjendës për Reforma Evropiane (PV ERA II).

Të njëjtat u konsideruan shumë të rëndësishme nga zëvendëskryeministri Bislimi dhe u përkrahën nga deputetët me përjashtim të deputetes së LDK-së, Rrezarta Krasniqi.

Kurti flet për gazin: Duhet ta mendojmë, mund të jetë amerikan, por s’është e thënë

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë