Bashkimi Evropian ka nisur disbursimin e mjeteve të para për Kosovën në kuadër të Planit për Rritje Ekonomike, duke transferuar një shumë prej 61.8 milionë eurosh, shkruan Gazeta Metro.
Kosova ishte vendi i fundit në rajon që përfiton nga kjo skemë, kryesisht për shkak të bllokadave politike gjatë vitit të kaluar.
Kjo shumë përfaqëson një parafinancim prej 7% të paketës totale prej 882.6 milionë eurosh, e cila përfshin grante dhe kredi të favorshme që do të jenë në dispozicion deri në vitin 2027.
Nga shuma e përgjithshme, 28.74 milionë euro janë transferuar drejtpërdrejt në buxhetin e Kosovës si kredi, ndërsa pjesa tjetër prej 33.04 milionë eurosh e ndarë në 17.73 milionë grante dhe 15.31 milionë kredi do të shpërndahet përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), për projekte zhvillimore dhe infrastrukturore.
Afatet e para janë tashmë të përcaktuara ku deri më 30 qershor 2026 pritet të përmbushen 13 reforma me vlerë 90.8 milionë euro, ndërsa deri në fund të vitit synohet realizimi i edhe 27 hapave të tjerë që kapin shumën prej 165.9 milionë eurosh.
Shefja në detyrë e Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, theksoi se ky plan përfaqëson një mundësi konkrete për përshpejtimin e reformave dhe afrimin ekonomik me tregun e përbashkët evropian, duke përforcuar sundimin e ligjit dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti u shpreh se institucionet janë të përkushtuara për t’i realizuar obligimet në kohë, duke pranuar se ka pasur vonesa, por duke shtuar se ato do të kompensohen me intensifikim të reformave në vijim.
Plani për Rritje Ekonomike i BE-së për Ballkanin Perëndimor ka afate të qarta implementimi, ndërsa Kosova rrezikoi të mbetej prapa për shkak të krizave politike të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave zyrtare, Bashkimi Evropian mbetet mbështetësi kryesor financiar i Kosovës, me mbi 3.7 miliardë euro grante të dhëna që nga viti 1999, si dhe me 421 milionë euro shtesë aktualisht në dispozicion përmes programit IPA./gazetametro.net